
Më 22 shkurt të këtij viti, në moshën 81-vjeçare, ndërroi jetë profesori i shquar i historisë, Ramiz Abdyli. Ai lindi më 10 nëntor 1944 në Llojan të Kumanovës, ku edhe filloi shkollimin. Shkollën fillore e vijoi në Miratoc të Preshevës, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në Shkollën Normale “Zef Lush Marku” në Shkup. Pas përfundimit të saj, më 1963, në vitet 1964-1968 ndoqi studimet e larta për histori në Universitetin e Shkupit. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Prishtinës, ku u magjistrua më 1976 dhe u doktorua më 1982.
Ekziston tashmë një korpus i madh shkrimesh, artikujsh, zërash enciklopedikë dhe studimesh mbi çështjen e islamizimit të shqiptarëve dhe faktorëve që kanë ndikuar në këtë proces, i cili filloi dhe arriti kulmin gjatë periudhës së sundimit osman në këtë hapësirë. Zbulimi apo publikimi i dokumenteve të reja që datojnë nga kjo periudhë është një zhvillim që hedh dritë dhe zbardh dinamika të reja mbi këtë tematikë, si dhe i shtyn studiuesit ta rimarrin atë sërish në shqyrtim. Në këtë kontekst, edhe ky artikull bazohet në të dhënat e përftuara nga regjistrat kadastrorë të shek. XVI mbi një hapësirë të caktuar administrative të kohës, siç ishte sanxhaku i Elbasanit dhe kazatë e Elbasanit, Durrësit dhe Shpatit, të cilat bënin pjesë brenda kësaj livaje.
Ky artikull trajton procesin historik të shfaqjes dhe zhvillimit të nacionalizmit shqiptar, duke e vendosur atë në kuadrin e debateve teorike mbi kombin dhe nacionalizmin. Analiza mbështetet në disa qasje të rëndësishme teorike: theksin e Ernest Gellner-it mbi arsimin dhe modernizimin; rolin e nukleve të Kulturës së Lartë dhe diasporës patriotike në formësim dhe njëjtësim; dallimin e John Plamenatz-it ndërmjet nacionalizmave “perëndimorë” dhe “lindorë”; si dhe interpretimin e Adrian Hastings-it mbi rrënjët kulturore kristiane të nacionalizmit. Në këtë kornizë, rasti shqiptar paraqitet si një shembull i vonuar dhe kompleks i formimit kombëtar, si pasojë e prapambetjes ekzistuese në periferinë lindore të Perandorisë Osmane. Studiuesja Nathalie Clayer ka vënë në dukje pengesat strukturore me të cilat u përball nacionalizmi shqiptar: prapambetjen ekonomike, komunikimet e dobëta, analfabetizmin masiv dhe mungesën e një aparati shtetëror. Ndërkohë, Lea Ypi thekson ndërthurjen dialektike mes idealeve iluministe të sovranitetit dhe shekullarizmit, nga njëra anë, dhe rrymave romantike europiane të shek. XIX, nga ana tjetër, në formësimin e nacionalizmit shqiptar. Shoqëria shqiptare e kohës, e mbështetur mbi një strukturë agrare dhe fisnore dhe e karakterizuar nga një diversitet i theksuar fetar (islam, ortodoksi, katolicizëm), u bë një pengesë e madhe për përhapjen e njësuar të vetëdijes kombëtare. Për më tepër, ndalimi nga autoritetet osmane i shkollimit në gjuhën shqipe dhe i përdorimit të alfabetit latin e shtyu më tej procesin e ndërtimit kombëtar dhe të shkollës kombëtare. Si pasojë, vetëdija kombëtare u konsolidua fillimisht në rrethet intelektuale dhe në diasporën patriotike, të mbështetura nga kleri katolik dhe protektoratet austro-hungareze, përpara se të depërtonte në shtresat më të gjera të popullsisë. Shpallja e Pavarësisë në vitin 1912 solli atë që studiuesit e kanë quajtur “sovranitet negativ”: çlirimin nga sundimi osman pa ndërtimin e institucioneve shtetërore funksionale, të shtrira në të gjithë territorin dhe të njohura ndërkombëtarisht. Në një masë të madhe dhe në planin ndërkombëtar, sovraniteti u rikuperua gjatë Principatës së Shqipërisë, por kohëzgjatja ishte e reduktuar si në kohë, ashtu edhe në hapësirë. Kundërshtimi i brendshëm nga grupimet proosmane dhe esadiste, i shoqëruar me ndërhyrjet e shteteve fqinje, çoi në rrëzimin e shtetit të brishtë shqiptar në vitin 1914. Megjithatë, rasti shqiptar tregon se nacionalizmi mund të zhvillohet edhe në kushte të pafavorshme, duke u mbështetur te ringjallja kulturore, veprimtaria intelektuale dhe diplomacia ndërkombëtare. Ringritja e tij mori sërish hov gjatë viteve 1916-1918, në zonën austro-hungareze të kontrollit ushtarak dhe, paradoksalisht, edhe në zonat italiane dhe franceze. Megjithatë, ripërtëritja e plotë dhe konsolidimi i tij u arritën vetëm gjatë viteve ’20, në kuadrin e një shteti laik modern dhe të balancuar krahinarisht.